Channel Avatar

RADIO NGJALLJA @UC-n9jGnbmgnKNGBUsjo_LGA@youtube.com

3.8K subscribers - no pronouns :c

Radio "Resurrection" is a local radio station of religious a


Welcoem to posts!!

in the future - u will be able to do some more stuff here,,,!! like pat catgirl- i mean um yeah... for now u can only see others's posts :c

RADIO NGJALLJA
Posted 8 months ago

Tempulli dhe Qëllimi i Ekzistencës


Imzot Joan Pelushi


Cili është qëllimi i ekzistencës individuale, apo cila është arsyeja që ekziston gjithësia janë pyetje që duhet të ngrihen në çdo shpirt e mendje njerëzore, sepse kjo është pyetja kryesore e jetës. Një jetë që të jetë e plotë duhet të ketë patjetër një qëllim, sepse pa të jeta humbet vetë jetën, duke u kthyer në një jetë të kotë. Është njësoj si një udhëtim, që nëse nuk ka një destinacion përfundimtar, ai fillon e bëhet i lodhshëm, i mërzitshëm dhe i kotë. Jeta e njeriut është më të vërtetë një udhëtim dhe udhëtimi presupozon se ka një destinacion përfundimtar. Vlerat universale të njerëzimit janë formuar pikërisht nga ideja e destinacionit të tij përfundimtar dhe nga përmbushja e këtij destinacioni. Ato janë konsoliduar nga përgjigjet që çdo qytetërim i ka dhënë qëllimit të ekzistencës, duke e bërë njeriun që të kuptojë se ekzistenca e tij është përtej thjesht gjallesës. Jeta e tij është një udhëtim dhe një kërkim. Koha dhe hapësira janë korniza e përmbushjes së ekzistencës së tij, por qëllimi i ekzistencës është për ta kapërcyer kohën dhe hapësirën: njeriu është një qenie transhendentale. Ja vlen të përmendet thënia e Pompeit të Madh se të jetosh nuk është e rëndësishme, por të udhëtosh është, që do të thotë se nëse jeta nuk është një udhëtim, por është vetëm thjesht një gjallesë, atëherë ajo është një jetë e gjymtuar. Pa këtë dimension të jetës vlerat e saj do të humbnin kuptimin dhe dalëngadalë do të thaheshin, duke e bërë njeriun të humbë jo vetëm qëllimin e ekzistencës, por edhe njerishmërinë e tij.
Fatkeqësisht, ne jetojmë sot në një kohë kur njeriu e ka humbur nocionin e qëllimit të ekzistencës. Nga të gjitha qytetërimet që kanë ekzistuar në historinë botërore vetëm ky i sotmi nuk ka më një përgjigje për pyetjen bazike të jetës. Qytetërimet e mëparshme në forma të ndryshme i përgjigjeshin kësaj pyetje. Madje ato ishin formuar nga mënyra sesi i përgjigjeshin kësaj pyetje. Ndërsa sot ne jemi para një fakti tronditës. Duke mos patur përgjigje rreth kësaj pyetjeje jeta jonë po çoroditet dhe duke u çoroditur po gjymtohet dhe, nëse ne nuk kemi më as pyetje, do të thotë që ne po humbasim humanitetin tonë, thelbin e asaj që e bën njeriun njeri.
Sepse, tragjikisht, jo vetëm që nuk ka më përgjigje për këto çështje, por shihet që as nuk ka më pyetje për këto. Pyetja për qëllimin e ekzistencës së njeriut sa po vjen e po rrallohet. Gjithmonë e më pak njerëz i drejtojnë vetes këtë pyetje. Nëse ne nuk do të kemi më këtë pyetje, për qëllimin e ekzistencës sonë, atëherë si do kemi një përgjigje? Përgjigjia është e domosdoshme për ekzistencën e njeriut dhe për përmbushjen e kësaj ekzistence. Ajo nuk është thjesht një shpjegim teorik për të kënaqur intelektin njerëzor, por është një ndihmesë e domosdoshme për ta ndihmuar njeriun që të përmbushë këtë qëllim ekzistence. Dimensioni i saj është një dimension ontologjik, pa të dëmtohet vetë qenia. Prandaj përgjigja ndaj kësaj pyetjeje ishte bazike. Tempulli i çdo besimi apo qytetërimi ishte për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Madje ai nuk ishte thjesht vetëm për t’i dhënë njeriut kuptimin e tij të vërtetë të ekzistencës, por ishte edhe vendi ku njeriu mund ta përmbushte ketë qëllim, për ta bërë atë një qenie të plotë, një qenie transhendentale dhe për ta kthyer atë nga një homo animalis në homo humanus.


***

Gjatë zhvillimit të qytetërimeve të ndryshme dhe të zhvillimit të mendimit njerëzor mund të themi se ka patur tre rryma kryesore në lidhje me qëllimin e ekzistencës së njeriut dhe të universit. Ndër to dy i japin njeriut një përgjigje për qëllimin e ekzistencës së tij dhe të universit, ndërsa e treta jo.
E para, filozofia e vjetër antike, e cila shikonte një harmoni në tërë universin, ndonëse për atë universi (e tëra) ishte mbi individin, sepse pjesa (në kuptimin tonë njeriu) ishte për hir të së tërës. “Ti harron se krijimi nuk është për përfitimin tënd: ti ekziston për hir të universit.” Njeriu ishte vetëm një pjesë e universit dhe pesha e këtij universi e shtypte njeriun në ekzistencën e tij. Ky lloj vizioni e çonte njeriun lehtësisht në dëshpërim dhe në anonimat. Nga një vizion i tillë ishte i pashmangshëm stoicizmi apo hedonizmi, dy anët e ndryshme të së njëjtës medalje.
Ndërsa pikëpamja fetare në përgjithësi dhe sidomos ajo biblike në veçanti i jep më përparësi njeriut: bota është krijuar për hir të tij. Kjo pikëpamje jo vetëm që i jep njeriut një qëllim të ekzistencës së tij dhe të universit, por i jep atij edhe një përgjegjësi për përmbushjen e ekzistencës së tij. Në këtë mënyrë ajo e vendoste njeriun në pozicionin optimal të qenies: në atë transhendentale.
Linja e tretë, materializmi, duke përjashtuar ekzistencën e një inteligjence në formimin dhe drejtimin e universit, e përjashton në vetvetë ekzistencën e një qëllimi. Për njeriun e sotëm, jo vetëm që bota nuk është për hir të tij, por as ai për hir të botës. Për atë, fatkeqësisht, universi nuk ka ndonjë qëllim. Sepse nëse nuk do të kishte një arsye në krijimin e universit atëhere si do të kishte një qëllim në jetë? Ja si shprehet një ateist i madh, por fatmirësisht i sinqertë. “Pyetja, ‘Kush është qëllimi i jetës njerëzore?’ është bërë shumë herë; kurrë nuk ka marrë ndonjë përgjigje të kënaqshme…Kështu, përsëri, vetëm feja është në gjendje t’i përgjigjet pyetjes së qëllimit të jetës. Vështirë se do të ishte gabim të konkludoje, se idea e një qëllimi në jetë qëndron apo bie me sistemin fetar.” Duke rënë ky sistem fetar, çdo njeri me një llogjike normale do të mendonte, në një mënyrë të natyrshme, se nuk ka më një qëllim në jetë. Vetëm feja, e cila e shikon jetën si një udhëtim drejt një destinacioni përfundimtar, mund t’i japë njeriut një qëllim në ekzistencën e tij dhe nëse humbet feja, atëherë humbet edhe destinacioni përfundimtar. Duke humbur destinacioni përfundimtar ka humbur edhe qëllimi i ekzistencës dhe kështu ka humbur edhe vetë jeta e njeriut. Nëse nuk ka një qëllim, atëherë nuk ka më as edhe një të vërtetë dhe gjithçka mund të bëhet qëllim dhe e vërtetë. Dhe pikërisht është kjo që ka krijuar tërë këtë konfuzion mendor dhe moral në botën e sotme. Ç’farë mund të bëjë një njeri i cili nuk beson në një destinacion përfundimtar të tij? Jeta e tij dalëngadalë do të humbasë të gjitha vlerat e krijuara, të cilat janë bazuar në qëllimin e ekzistencës njerëzore dhe si pasojë do të degradohet vetëm në nivelin e gjallesës. Duke humbur qëllimin e ekzistencës njeriu humbet thelbin e jetës së tij dhe dëmton rëndë, ontologjikisht, qenien e tij.
Humbja e qëllimit të ekzistencës, që vjen si rezultat i humbjes së fesë, ka pasoja katastrofike për qeniet njerëzore. Sepse shumë vlera, të cilat e mbajnë akoma shoqërinë njerëzore, mendimin dhe etikën e saj, janë formuar pikërisht nga besimi në një destinacion të njeriut dhe nga një qëllim real në ekzistencën. Ja si shprehet një tjetër ateist i madh: “Perëndia nuk ekziston…dhe ne duhet të përballemi me të gjitha konsekuencat e kësaj. Ekzistencialisti i kundërvihet fuqishëm një lloji të etikës sekulare që do të donte ta hiqte Perëndinë me koston sa më të vogël…Përkundrazi, ekzistencialisti, mendon se është shumë e dhimbshme që Perëndia nuk ekziston, sepse e gjithë mundësia e gjetjes së vlerave në një qiell të ideve hiqet së bashku me Atë; nuk mund të ketë një të Mirë a priori meqenëse nuk ka një ndërgjegje të përsosur dhe infinite për ta menduar atë. Askund nuk është shkruar se e Mira ekziston, se ne duhet të jemi të ndershëm, se nuk duhet të gënjejmë; sepse fakti është që jemi në një plan ku ka vetëm njerëz. Dostojevski thotë: ‘Nëse Perëndia nuk ekziston të gjitha do të ishin të lejueshme.’ Kjo është vetë pikënisja e ekzistencializmit…dhe si pasojë njeriu është i dëshpëruar, sepse as brenda tij dhe as jashtë tij, ai nuk mund të gjejë diçka për tu kapur…nëse Perëndia nuk ekziston, ne nuk gjejmë as vlera dhe as urdhërime ku mund të drejtohemi për ta legjitimuar sjelljen tonë.”
Kështu mund të themi se përkufizimi i historisë, kulturës, mendimit dhe në përgjithësi i gjithë qytetërimit perëndimor, bërë nga Çesterton, se: “Paganizmi ishte gjëja më e madhe në botë dhe Krishtërimi ishte më i madh, dhe gjithçka tjetër më pas ka qenë krahasueshmërisht e vogël”, është jashtëzakonisht i përshtatshëm edhe për mendimin rreth qëllimit të ekzistencës. Paganizmi jepte një tabllo ku mund të kultivoheshin virtute të mëdha, Krishtërimi ishte më i madh sepse jepte një qëllim të qartë të ekzistencës dhe mundësinë e arritjes së këtij qëllimi; dhe gjithçka tjetër më pas është realisht më e vogël.

***

42 - 4

RADIO NGJALLJA
Posted 8 months ago

youtube.com/playlist?list=PLj...

BESIMI I KRISHTERË ORTHODHOKS - MËSIME KATEKIZMI.
NGA AT ILIA MAZNIKU DHE AT GRIGOR PELUSHI
MUND TI NDIQNI TË GJITHA EMISIONET DUKE KLIKUAR NË LINKUN E MËPOSHTËM.

8 - 0